Përfaqësuesi i Ferrari për Evropë, ka deklaruar para gazetarëve se versioni “truly special” i modelit LaFerrari është duke u prodhuar në Maranello.
Drejtori i dizajnit të super veturës, Flavio Manzoni ka thënë se edicioni special është shumë afër finalizimit dhe në treg do të dalin vetëm shumë pak njësi. Ai nuk ka cekur saktë numrin e tyre, por besohet se do të prodhohen më pak se 10 njësi. Ndërsa çmimi i tyre pritet të kushtoi nga 3-5 milion funte, duke e lënë kështu pas Lamborghini Venenon.
“Kemi humbur shumë kohë për dizajnin e versionit special të LaFerrari, dhe në fund besoj se të gjithë do të ndahen të kënaqur me atë çfarë kemi bërë. Jemi shumë të sigurt se secili njeri që e nget atë veturë do të ndihet i veçantë”, ka deklaruar Manzoni.
Ne tashmë kemi parë dy modelet e kaluara të quajtura Tesnostruttura dhe Manda në muzeun e Ferrarit, por versioni i limituar i LaFerrari pritet të duket krejt ndryshe. Shanset që vetura të jetë më e lehtë janë shumë të mëdha, pasi raportohet se do të peshoj vetëm 1000 kilogram që i bie të jetë 225 kg më i lehtë sesa modeli standard.